Adrian Hila dëshmon në polici: Kamerat i vendosa për siguri, jo për të regjistruar momente intime

Adrian Hila ka deklaruar në polici se ka qenë vetë ai që ka vendosur kamerat në banesën e tij, por ka mohuar se qëllimi i tyre ka qenë regjistrimi i momenteve intime.

Sipas burimeve, gjatë dëshmisë së tij, Hila ka shpjeguar se kamerat janë vendosur për qëllime sigurie, pas rasteve të vjedhjeve të raportuara në zonën ku banonte. Sipas deklarimit të tij, kamerat ishin instaluar në vitin 2022, pra përpara publikimit të videove intime që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet.

Hila ka deklaruar se bëhej fjalë për kamera të thjeshta, të vendosura në pika të ndryshme brenda dhe jashtë banesës, me synim mbrojtjen e pronës.

Sipas tij, kamerat nuk kishin memorie për ruajtjen e pamjeve, por funksiononin online.

Në lidhje me publikimin e videove, Hila ka deklaruar se është vënë në dijeni për ngjarjen nga miq të tij.

Hetimet për rrethanat e regjistrimit dhe publikimit të materialeve vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë mënyrën se si pamjet kanë përfunduar në qarkullim publik.