Prokuroria e Fierit ka sekuestruar mbi 2.6 milionë euro në llogari bankare dhe një automjet luksoz tip “Bentley”, në kuadër të hetimeve për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, janë sekuestruar pasuritë e shtetasit K.H., i cili ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sipas Prokurorisë, K.H. dyshohet se, përmes vendimeve të falsifikuara, ka arritur të regjistrojë në emër të tij sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar:
- 2,610,195 euro në llogari bankare;
- 1,865,076 lekë;
- 7,515 dollarë amerikanë;
- një automjet “Bentley Flying Spur”, i vitit 2024, me vlerë të deklaruar blerjeje 250 mijë euro.
Sipas organit të akuzës, këto pasuri dyshohen se janë produkte të veprave penale për të cilat po zhvillohet hetimi.
K.H. është nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.
Prokuroria e Fierit deklaron se do të vijojë hetimet për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se kanë prejardhje nga veprimtari kriminale.








