Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjësia e tij politike përfundon aty ku nis puna e institucioneve të drejtësisë, duke iu referuar debateve të fundit për çështjet që përfshijnë SHISH-in, Vlora Hysenin, Ergys Agasin dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Gjatë deklaratës së tij, Rama solli si shembull Francën, duke përmendur rastin e një ministri të akuzuar për një vepër të rëndë penale, i cili, sipas tij, nuk u largua menjëherë nga detyra dhe më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata.
“Kushdo që tradhton qëllimin e përbashkët duhet të përballet me gjyqësorin. Franca, vend padiskutueshmërisht i fortë nga pikëpamja institucionale, ministri u akuzua për pedofili, nuk u largua nga detyra, as presidenti nuk mori përgjegjësi. Gjykata e shpalli të pafajshëm dhe sot është prapë në detyrë”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se përballja e një zyrtari me drejtësinë nuk duhet të nënkuptojë automatikisht përgjegjësi politike për kreun e qeverisë.
“Këto janë qasje që gjithkush i bën sipas vendit, por në rastin tonë askush nuk merr në mbrojtje dikë që hyn në sferën e gjyqësorit. Këtu nis dhe mbaron përgjegjësia ime politike”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon të jetë në qendër të debatit politik dhe juridik. Rama ka mbrojtur parimin se institucionet e drejtësisë duhet të kryejnë hetimet e tyre dhe se përgjegjësia penale është individuale.










