Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë, foli edhe për çështjet e fundit që kanë shkaktuar debat publik, lidhur me hetimet dhe masën e arrestit për ish-drejtoreshën e SHISH.
Rama tha se këto zhvillime nuk kanë ndikuar në perceptimin e partnerëve evropianë për Shqipërinë, ndërsa theksoi se çështjet që lidhen me hetimet duhet t’u lihen institucioneve të drejtësisë.
“Dua t’ju bëni pyetje vetes pse BE-ja dhe KE-ja ngjarje që këtu trajtohen si arsye për të goditur dhe përhapur valë dëshpërimi, i shikojnë si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner shumë serioz dhe një vend që aspiratat e veta i ka të lidhura me faktet e një përpjekjeje të përditshme në të gjitha aspektet.
Kjo është një çështje që unë mendoj se i duhet lënë gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë.
Një shqetësim i tillë, që na vjen nga shpërndarësit e materialeve të nxjerra rrugëve, nuk na ka ardhur nga asnjë partner ndërkombëtar. Pres që prokuroria dhe gjykata të bëjnë punën e vet dhe, në fund, të dalë edhe rezultati”, tha Rama.










