Ndryshime në kodin penal- Drafti i ri kufizon arrestin në burg dhe forcon përdorimin e masave alternative

Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke njoftuar një qasje të re për mënyrën se si gjykatat vendosin masat e sigurimit.

Sipas draftit, për veprat penale me dënim maksimal deri në 3 vjet, si rregull, nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të vendoset arrest në burg.

“Për vepra me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht lirinë dhe masat më të buta, ndërsa arresti në burg të përdoret vetëm kur alternativat e tjera nuk janë të mjaftueshme.

“Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me vetë personin”, tha Rama. Ai shtoi se as heshtja e personit dhe as mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren më si tregues rrezikshmërie.

Drafti parashikon gjithashtu kontroll periodik të masave të sigurisë. Çdo muaj, prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet që justifikojnë kufizimin e lirisë vazhdojnë të ekzistojnë.

“Liria nuk mund të kufizohet njëherë dhe pastaj të harrohet sikur nuk ekziston më”, u shpreh Rama.

Ndryshimet synojnë gjithashtu mbrojtje më të madhe për kategoritë në gjendje të cenueshme, përfshirë prindërit me fëmijë të vegjël, personat mbi 70 vjeç dhe të sëmurët rëndë.