Lushnjë – Policia ka referuar në Prokurori materialet për nisjen e procedimit penal ndaj administratorit të kompanisë që po kryen punimet për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit të liqenit në fshatin Kasharaj.
Procedimi penal ka nisur ndaj shtetasit F. M., 58 vjeç, administrator i firmës që po kryen punimet, pasi dyshohet se gjatë rikonstruksionit të digës së dëmtuar nuk janë marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit.
Sipas Policisë, si pasojë e situatës së krijuar ka ngordhur një numër i konsiderueshëm peshqish në rezervuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë e Fierit, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Materialet janë referuar për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngordhjes masive të peshqve në rezervuarin e Kasharajt.










