Ergys Agasi ka reaguar përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia, pas pretendimeve të bëra publike në kuadër të hetimeve të SPAK, duke kundërshtuar veçanërisht të dhënat për takime me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, si dhe pretendimet për dokumente të shërbimit informativ që dyshohet se janë gjetur në automjetin e tij.
Në një intervistë , avokati Haxhia tha se Agasi i ka mohuar kategorikisht këto pretendime.
“Po e deklaroj çfarë kam biseduar me klientin dhe më ka thënë: asnjëra nga ato nuk qëndron. Kryetarja e shërbimit informativ nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time. Nuk e kam takuar asnjëherë, në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme”, deklaroi Haxhia, duke përcjellë qëndrimin e klientit të tij.
Sa i përket dokumenteve që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit, avokati tha se klienti i tij i kundërshton këto të dhëna dhe është i gatshëm të përballet me to në rrugë ligjore.
“Kanë vënë në gojën e Agasit që ai ka deklaruar që: ‘I kam pasur këto dokumente dhe i kam lënë në makinë’. Jo, nuk është e vërtetë”, u shpreh Haxhia.
Avokati ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi publikimin në media të disa komunikimeve telefonike, duke kërkuar që çdo material që pretendohet se ekziston të përfshihet në dosjen e hetimit.
“Ne kërkojmë që prokuroria të distancohet, ose nëse janë të vërteta, t’i fusin në dosje dhe ta bëjmë luftën ballë për ballë, pra ta bëjmë dyluftimin juridik me provat që ke”, deklaroi ai.
Sipas Haxhias, mënyra e publikimit të materialeve në media po e vështirëson ushtrimin e mbrojtjes së Agasit, pasi sipas tij mbrojtja po detyrohet të reagojë publikisht përpara se pretendimet të shqyrtohen në procesin gjyqësor.
Më herët, gjykata ka miratuar masa të kërkuara nga SPAK në kuadër të hetimit, ndërsa mes personave të përfshirë është edhe ish-drejtorja e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e arrestit në shtëpi.
Deklaratat e mësipërme përfaqësojnë qëndrimin e mbrojtjes së Ergys Agasit. Pretendimet e SPAK dhe provat e administruara në kuadër të hetimit janë pjesë e një procesi ende në zhvillim.










