Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së martës në aksin Lushnjë–Berat, ku një motomjet ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal anësor.
Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur dy shtetas nga Bangladeshi, të cilët udhëtonin me motor në momentin e ngjarjes.
Njëri prej tyre ka pësuar dëmtime më të rënda dhe është transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.










