Zbardhen detaje të reja lidhur me zjarrin masiv që përfshiu kodrat me ullishte në fshatin Gorishovë të Fierit.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur pasi shtetasi P. M., 78 vjeç, ka ndezur zjarr për të djegur mbeturina në tokën e tij. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjellë me ullinj shekullorë.
Në vendngjarje janë angazhuar forcat e Shërbimit Zjarrfikës dhe efektivët e Policisë, të cilët po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Fierit 78-vjeçarin e dyshuar si shkaktar të zjarrit, ku po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, pasi kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.










