Rama shpall planin për 4 universitete të reja: Mjekësi në Fier, teknologji dhe AI në Korçë

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur planin për hapjen e katër universiteteve të reja në Shqipëri, të cilat do të ngrihen në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë.

Gjatë fjalës së tij në podcastin “Flasim”, Rama tha se secili prej universiteteve do të ketë profil të veçantë, me synimin për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tregut të punës.

Sipas kryeministrit, Universiteti i Fierit do të jetë një universitet ekselence në fushën e mjekësisë, ndërsa ai i Vlorës do të jetë një universitet i përgjithshëm dhe më i madhi nga katër institucionet e reja. Në Korçë do të ngrihet një universitet i fokusuar te teknologjia dhe inteligjenca artificiale, ndërsa universiteti i katërt do të hapet në Tiranë dhe do të ketë profil të përgjithshëm.

Rama bëri të ditur gjithashtu se qeveria pritet të nënshkruajë një marrëveshje me një prej rrjeteve më të mëdha universitare në botë, me bazë në Londër.

“Ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha të botës, i cili është i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier”, u shpreh kryeministri.