Debate me Ramën në Berat, përfaqësuesit e Poliçanit largohen nga takimi

Takimi i Kryeministrit Edi Rama në Berat është shoqëruar me debate të forta mes tij dhe një përfaqësie qytetarësh të ardhur nga Poliçani, mes të cilëve ishte edhe aktorja Egla Ceno.

Mbledhja, e organizuar në ambientet e Hotel Colombo në Berat në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale, ka nisur me një prezantim të Ministrit të Pushtetit Vendor, Ervin Demo.

Pas fjalës së ministrit, përfaqësuesit e Poliçanit kanë kërkuar të marrin fjalën për të shprehur qëndrimet e tyre. Gjatë diskutimeve janë shënuar momente tensioni dhe debate verbale mes kryeministrit Rama, kryebashkiakut të Poliçanit Adriatik Zotkaj dhe aktores Egla Ceno.

Tensionet kanë bërë që përfaqësia e ardhur nga Poliçani të bojkotojë takimin, duke u larguar nga salla para përfundimit të mbledhjes.

Takimi në Berat është pjesë e konsultimeve që po zhvillohen për reformën e re territoriale dhe riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore.