Ismaili: Makina e Kryeministrit Rama është me qira dhe paguhet nga buxheti i PS-së

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka sqaruar se automjeti i ri i përdorur nga Kryeministri Edi Rama është marrë me qira dhe nuk financohet nga fondet shtetërore, por nga buxheti i Partisë Socialiste.

Duke folur për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Ismaili tha se mjeti përdoret jo vetëm për aktivitetet institucionale të kryeministrit, por edhe për angazhimet partiake, çka ka bërë që shpenzimet të mbulohen nga PS-ja.

Sipas saj, zgjedhja e automjetit është bërë edhe për arsye sigurie, bazuar në kërkesat e Gardës së Republikës.

“Është bërë publike edhe më herët që makina e kryeministrit është me qira dhe paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste. Është kërkesë e bërë nga Kryeministri për shkak se ajo makinë përdoret edhe për aktivitetin partiak. Sa i përket llojit të mjetit, kjo lidhet edhe me arsye sigurie dhe me kërkesat e Gardës së Republikës”, u shpreh Ismaili.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se qeveria synon të zgjerojë praninë e saj edhe në nivel ministrish, me qëllim që institucionet të jenë më pranë qytetarëve dhe problematikave të tyre. (en.wikipedia.org)