21 vatra zjarri ne Shqiperi, më problematike në Fier, Shkodër, Mat dhe Dajt


Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, prej të cilave 11 vijojnë aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 5 janë shuar.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 587 forca operacionale vendore, 52 automjete zjarrfikëse, 550 efektivë dhe 7 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja është mbështetur nga 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.

Situata paraqitet problematike në disa zona. Në Fier, vatrat në Drizë/Radostinë, Vadhizë, Peshtan dhe Levan vijojnë aktive, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetëra forca, mjete zjarrfikëse dhe efektivë të FA, me mbështetje ajrore.

Shkodër, zjarri në Bardhaj mbetet aktiv, ndërsa në Mat vijon operacioni në zonat Lundre dhe Madhesh. Edhe vatra në Dajt është aktive, ndërsa zona e Qinamit mbahet nën mbikëqyrje dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.

Himarë, zjarri në lagjen “1 Maji” është shuar pas një operacioni të gjerë. Nga flakët janë djegur 6 banesa, 3 prej tyre të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar.

Vatra aktive raportohen edhe në Vajkal, Mallunxë–Lis, Gallatë, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastë të Elbasanit, Iballë dhe Krepse. Ndërkohë, zjarret në Mavrovë të Selenicës dhe në malin “Partizan” në Berat janë shuar.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.