Fier/ Dy raste zjarrvënieje në fshatra, arrestohet një 50-vjeçar dhe procedohet penalisht një tjetër

Dy raste zjarrvënieje janë zbardhur nga Policia në qarkun Fier, pas disa vatrave të shfaqura në zona të ndryshme të rrethit.

Në fshatin Daullas, policia ka arrestuar në flagrancë një 50-vjeçar, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarr në tokën e tij për të djegur shkurret. Flakët, të favorizuara edhe nga era, kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.

Një rast tjetër është evidentuar në fshatin Kreshpan, ku shërbimet e Policisë kanë identifikuar pranë një vatre zjarri një shtetas, i cili kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve. Për shkak të erës së fortë, zjarri është përhapur duke rrezikuar disa banesa dhe duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me bimësi.

Për shkak të moshës, ndaj këtij shtetasi është vendosur procedimi penal.

Për të dyja rastet, materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia u bën apel qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe pastrimin e tokave përmes zjarrit, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta dhe erës, pasi një vatër e vogël mund të përhapet me shpejtësi dhe të rrezikojë banesa, prona dhe mjedisin.

Çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie mund të denoncohet në numrin 112.