Tentativë gjobe me a*më në një hotel në Orikum, kërkuan 5 milionë euro – dyshohet se autorët u aksidentuan gjatë arratisjes

Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku më shumë se 10 persona, shumica dyshohet se të armatosur, kanë shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të hotelit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas informacioneve paraprake, grupi fillimisht ka kërcënuar pronarin me fjalë, ndërsa më pas dyshohet se janë përdorur edhe armët. Personat i kanë kërkuar pronarit një shumë prej 5 milionë eurosh.

Mes palëve dyshohet se ka pasur edhe përplasje fizike, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi nga hoteli.

Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e personave të dyshuar. Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.

Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime si pasojë e aksidentit.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të Vlorës, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë. Të dhënat mbeten paraprake dhe pritet që në vijim të ketë një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit.