Rrezik i lartë për zjarre në 5 qarqe, përfshihet edhe Fieri

Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar rrezik të lartë për përhapjen e zjarreve gjatë pasdites së sotme dhe përgjatë ditës së nesërme në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier.

Sipas parashikimit, rreziku pritet të jetë edhe më i lartë gjatë ditës së nesërme, i favorizuar nga kushtet e motit dhe temperaturat e larta.

Sa i përket reshjeve, gjatë pasdites së sotme priten reshje të dobëta dhe shtrëngata në qarqet Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër. Në pjesën tjetër të territorit reshjet do të jenë të dobëta, deri lokalisht të dobëta.

Ndërkohë, ditën e premte nuk priten reshje në asnjë pjesë të territorit të vendit.

Temperaturat nesër pritet të luhaten nga 22°C deri në 35°C në zonat bregdetare, nga 20°C deri në 36°C në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore do të variojnë nga 14°C deri në 29°C.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në zonat pyjore dhe ato me bimësi të dendur.