Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka bërë publike të dhënat mbi rastet e zjarrvënieve të evidentuara në vend gjatë periudhës 1 qershor–20 gusht. Sipas tij, në këtë periudhë janë regjistruar 132 raste zjarrvënieje, ndërsa Policia e Shtetit ka identifikuar 109 autorë të dyshuar.
Nga këta, 25 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa për dokumentimin e disa prej rasteve janë përdorur edhe pamje filmike.
Lamallari deklaroi se përgjegjësia nuk duhet të përfundojë me arrestimin e të dyshuarve, duke kërkuar që hetimet të vijojnë deri në përballjen e tyre me drejtësinë.
“Nuk mjafton vetëm arresti dhe më pas lirimi i tyre”, u shpreh ministri, duke kërkuar angazhim të plotë të prokurorisë dhe gjykatave për vendosjen e përgjegjësisë ligjore.
Në këtë kuadër, ministri kërkoi ngritjen e një njësie të dedikuar për hetimin e krimeve mjedisore, e cila do të trajtonte jo vetëm zjarrvëniet, por edhe prerjet e paligjshme të pyjeve, dëmtimin e lumenjve dhe vepra të tjera që cenojnë mjedisin.
Sipas Lamallarit, kjo strukturë duhet të ketë kapacitete të plota forenzike dhe kriminalistike, ndërsa prokuroria duhet të përdorë të gjithë mekanizmat që parashikon ligji procedural penal për dokumentimin dhe zbardhjen e rasteve.
Ministri përmendi edhe përdorimin e mekanizmave të posaçëm të hetimit, përfshirë përgjimin parandalues dhe ambiental, në rastet kur ato janë të nevojshme dhe të lejuara nga ligji.
Lamallari foli gjithashtu për projektin “Smart City” në shkolla, i cili, sipas tij, synon rritjen e sigurisë së nxënësve dhe stafit përmes kamerave inteligjente dhe teknologjive të reja. Projekti pritet të shtrihet në të gjithë vendin dhe të shoqërohet me përdorimin e kamerave trupore për policinë, radarëve dhe sensorëve inteligjentë.










