ARRSH ka shpallur kompaninë “KLODIODA” fituese të tenderit për studimin dhe projektimin e aksit të ri rrugor Roskovec–Lushnjë. Oferta fituese është 21 milionë lekë, nga rreth 24 milionë lekë që ishte fondi limit.
Tenderi, i hapur në muajin qershor, parashikon hartimin e projektit të detajuar për një rrugë krejtësisht të re, me gjatësi të përafërt 22 kilometra.
Traseja e re do të nisë pranë Roskovecit, në aksin Poshnjë–Roskovec–Fier, dhe do të lidhet me rrugën Berat–Lushnjë.
Një nga veprat kryesore të projektit është ndërtimi i një ure të re mbi lumin Seman, që ndan territoret e bashkive Roskovec dhe Lushnjë.
Sipas termave të referencës, aksi do të projektohet si rrugë ndërurbane dytësore, kategori C3. Para përcaktimit të trasesë përfundimtare, projektuesi duhet të studiojë të paktën dy variante alternative.
Projekti do të përfshijë gjithashtu nyjet lidhëse, sinjalistikën, ndriçimin, gjelbërimin dhe rrugët dytësore, me synim garantimin e aksesit për komunitetet përgjatë zonës.
Sipas ARRSH-së, rruga e re synon të krijojë një lidhje më të shpejtë mes Roskovecit dhe Lushnjës, duke shmangur kalimin e trafikut në qendrat e banuara. Projekti pritet të kontribuojë në uljen e ngarkesës në zonat urbane dhe në rritjen e sigurisë për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët.










