Vala e gjashtë e të nxehtit afrikan, Italia në alarm: Temperaturat mund të arrijnë 37°C

Meteorologët në Itali paralajmërojnë rikthimin e të nxehtit të fortë afrikan pas një pauze të shkurtër me reshje dhe stuhi të izoluara në ditët e para të shtatorit.

Sipas La Repubblica, nga e enjtja një “Heat Dome” (kupolë nxehtësie) pritet të shtrihet mbi Itali dhe pjesë të Europës, duke prekur edhe Gjermaninë, Zvicrën, Francën dhe Austrinë.

Temperaturat pritet të mbeten mbi mesataret sezonale. Në Romë, termometrat mund të ngjiten sërish në 36–37°C, ndërsa në Milano parashikohen deri në 36°C. Nëse këto vlera konfirmohen, ato do të konsideroheshin të jashtëzakonshme për muajin shtator dhe mund të afrohen ose të thyejnë rekorde historike për këtë periudhë.

Sipas parashikimeve, anticikloni afrikan do të dominojë gjatë fundjavës, ndërsa anomalia termike pritet të ndihet edhe në veri të Italisë.

Meteorologët e konsiderojnë këtë rikthim të të nxehtit si një tjetër episod të pazakontë pas një vere me temperatura të larta. Fillimi astronomik i vjeshtës është më 23 shtator, ndërsa deri atëherë pritet që temperaturat të vijojnë të qëndrojnë mbi normat sezonale.