Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në strukturat drejtuese, me emërime dhe transferime në disa drejtori vendore dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të këtyre lëvizjeve, Drejtuesi i Parë Kastriot Skënderaj është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Ndërkohë, Drejtuesi Fatmir Hoxha, i cili drejtonte Policinë e Elbasanit, është emëruar Specialist në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndryshime janë bërë edhe në strukturat drejtuese të Policisë së Beratit dhe Korçës. Drejtuesi Luigj Vathi, nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
Në këtë strukturë, Drejtuesi Gëzim Zhupaj, i cili mbante detyrën e drejtuesit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është emëruar Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike.
Lëvizjet kanë prekur edhe Policinë e Tiranës. Kryekomisari Dashnor Muhaj, ish-Zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Muhaj është emëruar Specialist për Migracionin e Parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin.
Ndryshimet janë pjesë e riorganizimeve dhe lëvizjeve të fundit në strukturat e Policisë së Shtetit.










