Punimet për zgjerimin e Superstradës Tiranë–Durrës do të sjellin kufizime të përkohshme të qarkullimit gjatë tre netëve të para të shtatorit.
ARRSH njofton se në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për garantimin e sigurisë gjatë punimeve, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohen përkohësisht korsitë e lëvizjes në të dyja drejtimet e aksit Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë.
Si do të devijohet trafiku?
Tiranë–Durrës: Mjetet do të devijohen nëpërmjet rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet përmes rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Mjetet e rënda: Kamionët dhe mjetet e tjera të rënda do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke vijuar nëpërmjet rrugës dytësore.
Durrës–Tiranë: Mjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë, më pas do të vijojnë në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku do të rikthehen në autostradë.
Rinas, Shkodër dhe Kosovë: Mjetet me këto destinacione do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë për të vijuar në drejtimet përkatëse.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të ndjekin sinjalistikën e përkohshme dhe udhëzimet e personelit të angazhuar për menaxhimin e trafikut.
Drejtuesve u rekomandohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, sa të jetë e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orarit të punimeve.










