IGJEO paralajmëron për rrezik të lartë zjarresh në Fier, Tiranë dhe Lezhë

Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron për nivel të lartë rreziku nga zjarret gjatë pasdites së sotme, 31 gusht, dhe ditës së nesërme, 1 shtator, në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.

Sipas parashikimit, në qarqet e tjera niveli i rrezikut do të jetë i moderuar, ndërsa në disa zona të lokalizuara rreziku parashikohet i lartë.

Këto zona përfshijnë pjesë të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Durrës, Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sa i përket motit, sot pasdite dhe nesër priten reshje të dobëta në disa qarqe, ndërsa në Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë reshjet do të jenë lokalisht të dobëta.

Për ditën e martë, temperaturat pritet të luhaten nga 23°C deri në 32°C në zonat bregdetare, 22°C deri në 35°C në zonat e ulëta dhe 17°C deri në 31°C në zonat malore.

Autoritetet këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat ku niveli i rrezikut nga zjarret është klasifikuar si i lartë.