Fermerët e shpallur fitues në fazën e parë të aplikimit për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 do të kenë afat deri më 11 shtator 2026 për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka njoftuar shtyrjen e afatit për aplikantët në kuadër të Masave Kombëtare të Mbështetjes nr. 1–7 dhe nr. 9, me qëllim krijimin e më shumë mundësive për plotësimin e dokumentacionit dhe lehtësimin e procesit të verifikimit.
Afati i mëparshëm për përfituesit e masave 1 deri në 4 ishte 10 gusht, ndërsa për masat 5 deri në 7 dhe masën 9 ishte 13 gusht 2026.
AZHBR paralajmëron se aplikantët që nuk plotësojnë dokumentacionin brenda afatit të ri do të skualifikohen nga skema mbështetëse.
Këtë vit skema ka regjistruar 42,728 aplikime, ndërsa vlera totale e kërkesave ka arritur në rreth 7.2 miliardë lekë, kundrejt fondit prej 5.2 miliardë lekësh të vënë në dispozicion.
Fieri kryeson në rang vendi për numrin e aplikimeve, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora.
Skema e vitit 2026 është organizuar në 12 masa mbështetëse, ku përfshihen mbështetja për tufën bazë të gjedhit dhe të imtave, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella dhe ripopullimin e ujërave të brendshme.
Interesi më i madh është regjistruar për tufën bazë të të imtave, me 7,236 aplikime, bletarinë, me 7,016 aplikime, dhe tufën bazë të gjedhit, me 6,732 aplikime.
Tre masat e investimeve lidhen me mbështetjen e fermerëve të rinj deri në 40 vjeç, ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve dhe mekanizimin e bujqësisë.
Skema synon uljen e kostove të prodhimit, rritjen e cilësisë dhe standardeve të produkteve bujqësore, si dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme në sektor.










