Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë, ku një 37-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën gjatë transportit nga Pogradeci drejt Tiranës.
Gruaja ishte paraqitur në spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore. Pas konsultave dhe ekzaminimeve, mjekët kanë vendosur që ajo të transportohej drejt kryeqytetit për trajtim më të specializuar.
Por gjatë rrugës, në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj është rënduar. Sipas të dhënave paraprake, 37-vjeçarja ka shfaqur të vjella, ndërsa dyshohet se mund të ketë pësuar një hemorragji të brendshme.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë, ajo ka ndërruar jetë.
Shkaqet e sakta dhe rrethanat e humbjes së jetës pritet të përcaktohen pas veprimeve procedurale dhe kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore.










