Kakavijë, rreth 40 mijë persona kalojnë kufirin drejt Greqisë gjatë javës

Rreth 40 mijë persona kanë kaluar gjatë kësaj jave përmes pikës kufitare të Kakavijës, në jug të vendit, me destinacion Greqinë. Pjesa më e madhe e tyre janë emigrantë shqiptarë, të cilët pas pushimeve verore në vendlindje po rikthehen drejt shtetit fqinj.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Kakavijë janë përpunuar 8,416 shtetas, nga të cilët 3,152 në hyrje dhe 5,264 në dalje. Gjatë së njëjtës periudhë janë përpunuar edhe 2,867 automjete.

Fluksi i lëvizjeve në drejtim të Greqisë pritet të jetë i lartë edhe gjatë fundjavës së fundit të gushtit, e cila shënon edhe mbylljen e sezonit veror dhe rikthimin e emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë e punojnë.

Autoritetet kufitare vijojnë monitorimin e situatës për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve dhe automjeteve.