GJKKO shqyrton masën ndaj Ergys Agasit, SPAK kërkon “arrest në burg”

Ergys Agasi është shoqëruar sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po i komunikohet masa e sigurisë e caktuar më herët në mungesë, pas arrestimit të tij dy ditë më parë në zonën e Plepave në Durrës.

Seanca nisi në orën 09:30, por u ndërpre me kërkesë të mbrojtjes, për t’i dhënë mundësi avokatëve të njihen me aktet e dosjes. Pas rifillimit, prokurori i posaçëm Bledar Maksuti kërkoi lënien në fuqi të masës “arrest në burg”.

Sipas SPAK, ekziston rreziku që Agasi t’i fshihet drejtësisë, duke iu referuar faktit se ai ka qëndruar në arrati për rreth tetë muaj.

Agasi dyshohet nga SPAK si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që vepronte pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në bashkëpunim me shtetasin Ermal Beqiri.

Ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, pastrimit të parave dhe shkeljes së barazisë në tendera. Sipas akuzës, aktiviteti synonte detyrimin e rivalëve për t’u tërhequr nga garat për kontrata publike.

Nga ana tjetër, mbrojtja ka kërkuar një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se Agasi nuk është i përfshirë në veprimtari kriminale dhe nuk ka menaxhuar fonde publike.

Në momentin e arrestimit, në automjetin ku ndodhej Agasi ishte edhe ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku. Ky i fundit pritet të dalë nesër para GJKKO-së, nën akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”.

Ndërkohë, pas publikimit të fotografive të Agasit brenda ambienteve policore, Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy efektivë të forcave “Shqiponja”, ndërsa ndaj tyre ka nisur hetim disiplinor.