Prokuroria e Posaçme ka publikuar detaje mbi arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, i cili u ndalua më 26 gusht në zonën e Plepave, në hyrje të Durrësit.
Sipas SPAK, Agasi u arrestua në autostradë pas një hetimi disa-javor të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në momentin e ndalimit ai shoqërohej nga Uljan Shpataraku, ish-punonjës policie, i cili u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për “Përkrahjen e autorit të krimit”.
Agasi ishte regjistruar si person nën hetim që më 5 dhjetor 2025, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1. Më 15 dhjetor 2025, GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa vendimi i ishte dërguar Policisë së Shtetit për ekzekutim më 17 dhjetor.
Kështu, biznesmeni rezultonte në kërkim prej më shumë se tetë muajsh, deri në momentin e arrestimit.
SPAK bën me dije se Agasi po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrim të produkteve të veprës penale, si dhe grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, disa prej këtyre veprave dyshohet se janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.










