Pak ditë para nisjes së procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së Partisë Demokratike në Fier, Gentian Koçi ka zyrtarizuar kandidaturën e tij.
Koçi shprehet se PD Fier nuk ka nevojë për një garë që prodhon fitues dhe të mundur brenda së njëjtës familje politike, por për një proces që rikthen besimin dhe forcon demokratët përballë kundërshtarit politik.
Ai thotë se kandidatura e tij nuk vjen nga dëshira për një post, por nga bindja se dega e PD-së në Fier duhet të funksionojë ndryshe, duke qenë më e hapur dhe më pranë anëtarësisë, si dhe më e pranishme në çdo lagje, fshat dhe komunitet.
Koçi thekson se bashkimi i demokratëve duhet të dëshmohet përmes sjelljes, respektit dhe përfshirjes, duke garantuar që askush të mos përjashtohet për shkak të mendimit ndryshe.
“PD Fier duhet të rikthehet në shtëpinë e çdo demokrati dhe në shpresën e çdo qytetari që kërkon ndryshim”, shprehet ai.
Në mesazhin e tij për demokratët, Koçi deklaron: “Jo kundër dikujt, por në krah të çdo demokrati. Jo për të administruar humbjet, por për të përgatitur fitoren.”
Ai u bën thirrje demokratëve të Fierit që ta zhvillojnë garën me dinjitet dhe ta përmbyllin procesin më të bashkuar.










