Kulmi i sezonit turistik ka sjellë rritje të importit të karburanteve në Shqipëri, i nxitur nga lëvizjet e shtuara gjatë periudhës së pushimeve, kthimi i emigrantëve dhe fluksi i turistëve të huaj.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në korrik 2026 u zhdoganuan 75.7 mijë ton karburante, nga 70.9 mijë ton në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 4,861 tonësh.
Megjithatë, rritja e korrikut nuk ka mjaftuar për të përmbysur tendencën e muajve të mëparshëm. Në periudhën janar-korrik 2026 janë importuar 407.9 mijë ton karburante, rreth 8,199 ton më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ecuria e importeve është ndikuar edhe nga rritja e çmimeve të karburanteve. Pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës dhe benzinës në tregun vendas u rritën ndjeshëm gjatë muajit mars dhe muajve pasues, duke arritur në rreth 224 lekë për litër. Situata solli rikthimin në funksion të Bordit të Transparencës për përcaktimin e çmimeve tavan në shitjen me shumicë dhe pakicë.
Çmimet u stabilizuan gjatë qershorit dhe korrikut, ndërsa në gusht kanë nisur sërish të shënojnë rritje.
Cigaret dhe kafeja në rënie, rritet importi i birrës
Të dhënat doganore tregojnë një tjetër panoramë për mallrat e tjera të akcizës gjatë korrikut.
Importi i cigareve zbriti në 328 tonë, nga 403 tonë në korrik 2025, me një rënie prej 75 tonësh. Edhe kafeja shënoi rënie, me 591 tonë të importuara, 242 tonë më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ndërkohë, importi i birrës shënoi një rritje të lehtë. Në korrik u zhdoganuan rreth 8 mijë tonë, kundrejt 7.7 mijë tonëve në korrik 2025.
Në bilancin 7-mujor, importet e cigareve dhe kafesë rezultojnë me rritje të lehtë, ndërsa birra regjistron rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.










