Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun Fier, Luan Baçi, ka reaguar me tone ironike ndaj njoftimit të Bashkisë Fier për pritjen e qytetarëve çdo të martë nga administrata vendore.
Në reagimin e tij, Baçi e cilëson nismën si një “njoftim shumë të rëndësishëm” dhe ngre akuza ndaj administratës së bashkisë, duke pretenduar se qytetarët e Fierit janë lënë prej vitesh pa mundësi për të paraqitur shqetësimet dhe problemet e tyre.
Sipas deputetit demokrat, hapja e dyerve të bashkisë për qytetarët vjen në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Baçi ironizon duke thënë se qytetarët do të kenë mundësinë të paraqesin shqetësimet e tyre, ndërsa shton se kjo praktikë mund të përdoret edhe për evidentimin e të dhënave të tyre elektorale.
postimi i plote
Njoftim “shumë i rëndësishëm” i bashkisë Fier!
Bashkia e Fierit më në fund u kujtua, se në Fier banojnë edhe qytetarë të tjerë, përveç të afërmve dhe familjarëve të administratës së bashkisë dhe patronazhistëve, të kudogjendur, që kanë realizuar detyrën e tyre, të patronazhimit, spiunimit, evidentimit dhe presioneve, ndaj bashkëqytetarëve!
Tashmë çdo të Martë, dera e bashkisë do të hapet, për qytetarët dhe ata do të bëjnë prezente shqetësimet e tyre dhe patjetër do t’u jepet “zgjidhje” e menjëhershme…
Duke i evidentuar se ku banojnë, sa votues kanë në shtëpi, dhe ta shprehin mirënjohjen te kutia e votimit, për hallet që t’ju zgjidhë bashkia, (që vetë bashkia jua a ka shkaktuar)
E Marta tashmë është një ditë e shënuar për qytetarët Fierak dhe kjo “mrekulli” do të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, se pastaj e dini vetë këta se çfarë do të ndodhë…
Ka vite që qytetarët e Fierit, nuk i ka pritur askush dhe jo më t’u zgjidhen hallet dhe problemet, (e kam fjalën këtu), për qytetarët e thjeshtë, ata që nuk kanë njerëz dhe të njohur me pushtet, ata të ndershmit dhe pa mbështetje, që kurrë nuk kanë pasur asnjë mundësi, ankesë apo zgjidhje halli për problemet e tyre..
Madje pritjet e para po i bën vetë kryetari i bashkisë zoti Subashi, prandaj po u bëhet thirrje gjithë qytetarëve, të nxitojnë, për të mos humbur rastin, që nuk do t’u përsëritet më në jetën e tyre.
Gjatë kësaj periudhe do të mbyllet dera nga mbrapa e bashkisë, që ka qenë dera, nga futeshin drejtuesit e bashkisë, për të shmangur, dhe ata pak qytetarë, që kishin guximin dhe prisnin para bashkisë, për ankesat dhe shqetësimet që kishin!
Gjatë këtyre muajve, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, e MARTA, si ditë e “shënuar” tashmë, u jepet e drejta edhe qytetarëve nga bashkitë e tjera, të vijnë në takim, pavarësisht, se ligjërisht bashkia e Fierit, nuk mund t’u zgjidhë problemet e tyre, e njëjta gjë është, se edhe qytetarët e Fierit, të njëjtin fat do kenë, që kanë pasur deri tani!










