Kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat sjellin ndryshime në organizimin e strukturave drejtuese, mënyrën e emërimit në poste të larta dhe sistemin e gradave të uniformave blu.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pas përfundimit të detyrës, ai nuk largohet automatikisht nga Policia, por mund të vijojë karrierën brenda strukturave me gradën “drejtues i parë”. Ai mund të angazhohet në funksione të tjera, përfshirë detyra këshilluese apo pedagogjike në Akademinë e Sigurisë. Megjithatë, nuk mund të rikthehet për t’u emëruar sërish në postin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Ndryshime janë bërë edhe në sistemin e gradave. Afati i qëndrimit për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe më pas në “drejtues” është shkurtuar nga 5 në 4 vite.
Ligji parashikon gjithashtu mundësinë që Drejtori i Përgjithshëm të japë gradim përpara afatit në raste të veçanta, për efektivë që dallohen për akte heroike ose rezultate të rëndësishme në luftën kundër krimit.
Një tjetër ndryshim prek emërimet në drejtimin e komisariateve dhe drejtorive vendore. Sipas rregullave të reja, kompetenca për këto emërime i rikthehet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa më parë procesi lidhej me procedura konkurruese mes zyrtarëve që kandidonin për postet drejtuese.
Ndryshimet synojnë riorganizimin e strukturave të Policisë së Shtetit dhe përcaktimin e një mënyre të re për menaxhimin e karrierës, gradave dhe funksioneve drejtuese.










