Rama mbledh sot ministrat në Pogradec, në fokus objektivat e qeverisë

Kryeministri Edi Rama do të vijojë edhe sot axhendën e takimeve në Pogradec, ku këtë herë do të mbledhë ministrat e kabinetit qeveritar.

Takimi zhvillohet një ditë pas mbledhjes me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare. Burime bëjnë me dije se diskutimet me ministrat do të përqendrohen te puna e bërë deri më tani dhe sfidat që qeveria duhet të adresojë gjatë pjesës së mbetur të mandatit.

Mbledhja pritet të shërbejë gjithashtu për përcaktimin e prioriteteve të reja dhe koordinimin e punës së institucioneve për muajt në vijim. Formati i takimit është konceptuar si një “retreat” pune, një praktikë e përdorur edhe më herët nga kryeministri për mbledhje të zgjeruara jashtë Tiranës.

Në takimin e zhvilluar të dielën, Rama diskutoi me drejtuesit politikë socialistë dhe krerët e komisioneve parlamentare mbi dokumentet dhe objektivat e përcaktuara për fazën e re të qeverisjes. Mes çështjeve të trajtuara ishte edhe dokumenti “Besa”, si dhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon ndjekjen dhe adresimin e problematikave të ngritura nga qytetarët.

Pas përfundimit të takimeve në Pogradec, socialistët pritet të fokusohen te organizimi i Asamblesë Kombëtare në fillim të shtatorit. Mbledhja e këtij forumi mund të përcaktojë hapat e ardhshëm politikë të PS-së dhe axhendën e qeverisë për periudhën në vijim.