Një drejtues autobusi është ndëshkuar me 50 mijë lekë gjobë dhe i është tërhequr leja e qarkullimit, pasi u filmua duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Rasti është regjistruar në aksin rrugor Divjakë-Lushnjë dhe pamjet janë publikuar në rrjetet sociale nga “Piranjat”.
Pas publikimit të videos, Policia Rrugore e Fierit ka identifikuar drejtuesin e autobusit dhe e ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Divjakë.
Sipas Policisë, për shkeljet e konstatuara, drejtuesi është ndëshkuar me masë administrative prej 50 mijë lekësh dhe me tërheqjen e lejes së qarkullimit.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit, efektivët kanë konstatuar edhe një tjetër shkelje: certifikata e kontrollit teknik të autobusit kishte kaluar afatin e vlefshmërisë.
Policia Rrugore vijon kontrollet për garantimin e sigurisë në rrugë dhe u bën thirrje qytetarëve të raportojnë në numrin 112 rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.










