Rreth 8 mijë pasagjerë dhe 2,300 automjete janë larguar gjatë fundjavës nga Porti i Vlorës në drejtim të Italisë, përmes tre trageteve që kanë operuar në linjën Vlorë–Brindisi.
Fluksi i lartë i udhëtarëve dhe automjeteve është menaxhuar pa probleme, ndërsa procesi i përpunimit të dokumentacionit është zhvilluar normalisht.
Sipas autoriteteve, gjatë gjithë këtij procesi nuk është regjistruar asnjë vonesë nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa tragetet janë nisur në orar, sipas programit të parashikuar.
Për përballimin e numrit të madh të udhëtarëve dhe automjeteve, në pistën e makinave kanë qenë në funksion nëntë sportele, duke mundësuar përpunim më të shpejtë dhe shmangien e krijimit të radhëve të gjata.
Nga dita e hënë pritet që situata në port të rikthehet në ritmin normal të punës, pas fluksit të shtuar të kësaj fundjave.
Strukturat e Policisë Kufitare vijojnë angazhimin për garantimin e një procesi të rregullt dhe të shpejtë për të gjithë pasagjerët që udhëtojnë drejt Italisë.










