Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar që shtatori të shndërrohet, sipas tij, në muajin e “goditjes vendimtare” ndaj qeverisë.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi protestuesit që prej më shumë se 80 ditësh vijojnë tubimet kundër qeverisë, ndërsa u bëri thirrje demokratëve në Tiranë dhe në të gjithë vendin të rrisin pjesëmarrjen në protestat e shtatorit.
“Heroizmi, sakrifica e të gjithë atyre që prej 80 e sa ditësh mbajnë me guxim dhe energji të madhe protestën kundër Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij, duhet të frymëzojë sot çdo shqiptar”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi shtatorin si një moment vendimtar për opozitën dhe protestuesit, duke kërkuar mobilizim të gjerë qytetar.
“Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje demokratëve dhe demokrateve të Tiranës, por edhe mbarë Shqipërisë, por në veçanti të Tiranës, që të shndërrojnë shtatorin me pjesëmarrjen e tyre në protestën qytetare në muajin e goditjes vendimtare të regjimit antishqiptar, të regjimit diktatorial autokratik, të narkoregjimit të Edi Ramës dhe të shkojmë si një komb drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh kreu i PD-së.










