Me kërkesë të Prokurorisë së Sarandës, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masat e sigurisë për personat e dyshuar në lidhje me vrasjen e turistit portugez L.M., ngjarje e ndodhur më 18 gusht në Ksamil.
Për shtetasin S.V., i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, gjykata caktoi masën “Arrest në burg”. Në burg u lanë edhe shtetasit turq E.P. dhe N.M., të dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
Ndërkohë, për shtetasit I.C., E.B. dhe S.S. u vendos masa “Arrest në burg” me afat 45 ditë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Për shtetasit M.Zh., L.S., M.M., R.Sh. dhe K.K. gjykata caktoi masën “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, gjithashtu për “Moskallëzim të krimit”, megjithëse Prokuroria kishte kërkuar arrestimin e tyre në burg.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, viktima L.M. ndodhej së bashku me grupin e tij shoqëror në lokalin “Principote” në Ksamil. Në orët e para të mëngjesit, pas një konflikti të çastit, ai dyshohet se u godit me një mjet prerës nga S.V. Goditjet rezultuan fatale.
Pas ngjarjes, i dyshuari kryesor dyshohet se u largua nga vendi i krimit me ndihmën e dy shtetasve turq, E.P. dhe N.M. Pas veprimeve të menjëhershme hetimore të Prokurorisë së Sarandës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Sarandë dhe Fier, S.V. u kap në bagazhin e një automjeti të drejtuar nga shtetasja turke E.P., pranë aksit rrugor Levan-Fier.
Prokuroria e Sarandës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të personave të përfshirë në ngjarje.










