Turqia kërkon urdhër-arrest ndërkombëtar për Netanyahun, reagon kryeministri izraelit

Menjëherë pas njoftimit të Turqisë për kërkesën e lëshimit të një njoftimi të kuq ndërkombëtar për arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka ardhur reagimi i këtij të fundit.

Netanyahu ka sulmuar ashpër presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke e cilësuar atë një “diktator antisemit”.

“Erdoğan është një diktator antisemit që masakroi kurdët, u dha strehim terroristëve të Hamasit, pushtoi gjysmën e Qipros dhe burgosi një numër rekord gazetarësh dhe kundërshtarësh politikë”, deklaroi Netanyahu.

Ai shtoi se Erdoğan po përpiqet të zgjerojë agresionin e tij ndaj Izraelit në Siri, duke paralajmëruar se Izraeli nuk do ta tolerojë një gjë të tillë.

“Përpjekja patetike e Erdoğan për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të ketë sukses”, tha Netanyahu.

Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, njoftoi se Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të lëshojë një “njoftim të kuq” për arrestimin ndërkombëtar të Netanyahut dhe shtetasit izraelit Afek Moskovitch.

Sipas autoriteteve turke, kërkesa lidhet me procedurat për krimet e dyshuara të gjenocidit në Gaza, si dhe me sulmin ndaj aktivistëve të Global Sumud Flotiljes në ujërat ndërkombëtare.

Gürlek tha se Netanyahu dhe Moskovitch akuzohen, ndër të tjera, për krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rëndë nga liria, dëmtime të qëllimshme trupore, keqtrajtim, dëmtim prone, grabitje të rëndë dhe sekuestrim të mjeteve të transportit.

Ministri turk deklaroi gjithashtu se Ankaraja nuk do të pranojë që drejtuesit izraelitë të mbeten të pandëshkuar për veprimet e tyre në Gaza.

“Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen dhe as ata që janë përgjegjës nuk do të mbrohen nga mburoja e pandëshkueshmërisë. Ne do të përdorim me vendosmëri të gjitha mjetet e disponueshme sipas ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha Gürlek.