Tre anije të “Global Sumud Flotilla” janë nisur nga Puglia në drejtim të ishullit të Sazanit, në Shqipëri, në një mision të ri të lidhur me protestat kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në ishull.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, aktivistët që udhëtojnë nga Puglia synojnë t’i bashkohen nismës “Revolucioni Flamingo”, e cila prej kohësh kundërshton zhvillimin turistik të Sazanit. Aktivistët e kanë lidhur aksionin e tyre me mbështetjen ndaj protestuesve shqiptarë që kundërshtojnë projektin e investimit të lidhur me grupin e biznesmenit Jared Kushner.
Mëngjesin e së enjtes, në Brindisi u zhvillua një konferencë për shtyp ku u shpjeguan arsyet e këtij misioni. Në aktivitet morën pjesë këshilltarja për Kulturën e Bashkisë së Barit, Paola Romano, aktivistja Antonela Dedja, aktivisti nga Bari Tony La Piccirella, si dhe Bobo Aprile nga Komiteti kundër Gjenocidit të Popullit Palestinez dhe Kundër Riarmatimit.
Sipas aktivistëve, zgjedhja e Puglias dhe veçanërisht e Brindisit për nisjen e misionit nuk është e rastësishme. Ata kanë kundërshtuar prej kohësh edhe në zonën e Ostunit projekte të ngjashme për ndërtimin e resorteve turistike.
La Piccirella e krahasoi dinamikën e zhvillimeve në Shqipëri me atë që, sipas tij, po ndodh në Gaza, duke argumentuar se në të dyja rastet bëhet fjalë për konflikte rreth tokës dhe vijës bregdetare.
Ndërkohë, Romano theksoi lidhjet historike dhe gjeografike mes Puglias dhe Shqipërisë, duke iu referuar edhe mbërritjes së anijes “Vlora” në Bari në vitin 1991.
Aktivistët deklaruan se synojnë të krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes lëvizjeve në Puglia dhe Shqipëri dhe të shprehin mbështetje për kundërshtarët e projektit turistik në Sazan.










