Reagimi i Avokatit :Patosi po zbrazet prej vitesh, shkrirja e bashkisë është pasojë e këtij realiteti

Avokati Adriatik Hoxha ka ndarë përvojën e tij personale për të argumentuar se ideja e shkrirjes së Bashkisë Patos nuk duhet të konsiderohet surprizë, pasi sipas tij qyteti po përballet prej vitesh me shpopullim dhe rënie të aktivitetit ekonomik.

Hoxha tregon se hapi një zyrë avokatie në Patos për t’u ofruar shërbime më pranë qytetarëve, por investimi nuk dha rezultatet e pritshme. Sipas tij, zyra mezi mbulonte shpenzimet, ndërsa edhe klientët nga Patosi preferonin të merrnin shërbimet në Fier.

Ai sjell edhe një bisedë me një banor të Patosit, i cili i tha se shumë qytetarë udhëtojnë drejt Fierit për të kryer shërbime, për të bërë pazarin apo edhe për të kaluar kohën, duke e cilësuar këtë si tregues të zbehjes së jetës ekonomike dhe sociale në qytet.

Sipas avokatit, problemi nuk lidhet vetëm me organizimin administrativ, por me mungesën e vendeve të punës, mbështetjes për bizneset, aktiviteteve kulturore, hapësirave sportive dhe kushteve që do t’i nxisnin të rinjtë të jetonin në Patos.

Në reagimin e tij, Hoxha thekson se edhe Fieri ka probleme të shumta, por mbetet më i gjallë falë lëvizjes së banorëve të zonave përreth, përfshirë edhe Patosin.

Në përfundim, ai shprehet se debati për shkrirjen e Bashkisë Patos duhet të shoqërohet me reflektim mbi shkaqet që, sipas tij, kanë çuar prej vitesh në shpopullimin dhe dobësimin ekonomik të qytetit.

Disa po çuditen shumë me idenë e shkrirjes së bashkive të vogla, mes tyre edhe Bashkisë Patos. Sinqerisht, mua nuk më çudit fare.

Po e them nga përvoja ime.

Para disa kohësh hapa zyrën time në Patos. Arsyeja ishte e thjeshtë: tek zyra në Fier kisha shumë qytetarë që vinin nga Patosi për të marrë shërbime. Mendova se, duke hapur një zyrë atje, do t’ua lehtësoja atyre, do të ulja pak fluksin në Fier gjatë paradites dhe njëkohësisht do të krijoja edhe klientë të rinj. Mu duk një investim i arsyeshëm.

Që ditët e para, njerëzit më thoshin: “Pse more djalë investon kot këtu? Ky qytet ka mbaruar. Uroj të kesh punë, por do ta kesh shumë të vështirë.”

Nuk i besova. Mendova se ndoshta e ekzagjeronin. Thosha me vete se, edhe sikur të mos shtoheshin klientët e rinj, mjaftonte që ata që vinin nga Patosi në Fier të merrnin shërbimet në Patos dhe zyra do të ecte.

Por realiteti ishte krejt ndryshe.🤷

Zyra në Patos mezi nxirrte shpenzimet e veta dhe pagën e punonjëses. Prisja që me kalimin e kohës puna të rritej, por ndodhi e kundërta. Edhe klientët e rinj që krijova në Patos, pas njëfarë kohe filluan të vinin tek zyra ime në Fier. Ndërkohë puna në Fier vetëm shtohej, ndërsa në Patos mbetej në vend ose binte.

Një ditë erdhi një zotëri nga Patosi në zyrën e Fierit për një shërbim. I thashë: “Pse u lodhe të vije deri këtu? E kishe zyrën në Patos.”

Përgjigjja e tij më bëri të kuptoj gjithçka dhe te mbyllja zyrën në Patos. 😂

Më tha: “A mor djalë, në Patos kanë ngelur vetëm pleqtë. Lokalet janë bosh. Ne me 30 lekë vijmë me autobus në Fier, bëjmë ndonjë shëtitje, pimë një kafe, kryejmë punët dhe kthehemi prapë.”🤦‍♂️

Aty e kuptova se problemi nuk ishte zyra ime. Problemi ishte se qyteti po zbrazej, bizneset nuk kishin mbështetje etj etj.

Prandaj, kur shoh sot disa që habiten ose kundërshtojnë me forcë shkrirjen e bashkisë, më duket pak e çuditshme. Janë po ata njerëz që shumicën e shërbimeve i marrin në Fier, pazarin e bëjnë në Fier, edhe bukën shpesh e blejnë në Fier dhe pastaj kthehen në Patos.

Një qytet nuk mbahet në këmbë vetëm me një rrugë të re apo me një pedonale. Një qytet jeton kur ka të rinj, kur hapen vende pune, kur mbështeten bizneset e vogla, kur ka aktivitete kulturore, ambiente sportive, parqe për fëmijët dhe arsye që njerëzit të zgjedhin të jetojnë aty.

Për ironi, ditën e dytë pasi hapa biznesin në Patos, më erdhi menjëherë taksa e bashkisë për ta paguar. Mirëseardhja ishte gati😂

Nuk po them se Fieri është ndonjë shembull perfekt. Edhe Fieri ka shumë probleme. Pas orës 9 apo 10 të mbrëmjes edhe ai zbrazet. Nuk ka stadium funksional,ekipi futbollit ne kategorinë e tretë 😂, nuk ka universitet, nuk ka mjaftueshëm parqe e hapësira për fëmijët dhe ka ende shumë gjëra që mungojnë. Por të paktën gjatë paradites mbahet ende gjallë nga lëvizja e banorëve të fshatrave dhe Patosit sigurisht 🙂.

Prandaj, para se të derdhim lot krokodili për atë që po ndodh sot me Patosin, ndoshta duhej ta kishit ngritur zërin vite më parë, kur qyteti po shpopullohej çdo ditë dhe askush nuk reagonte. Sot thjesht po shohim pasojën e një problemi që ka nisur prej kohësh.🙂