Një aksident rrugor është regjistruar rreth mesnatës në aksin e Transballkanikes, pranë ish-Hipotekës në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Porsche”, me ngjyrë të bardhë, ka përplasur një vajzë të re, e cila po kalonte rrugën në vijat e bardha. Pas përplasjes, drejtuesi i automjetit nuk është ndalur për t’i dhënë ndihmë të dëmtuarës, por është larguar nga vendi i ngjarjes.
E reja është transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë.
Dëshmitarë okularë pretendojnë se automjeti ka hyrë në kryqëzim me semafor të kuq. Megjithatë, ky pretendim mbetet për t’u verifikuar nga grupi hetimor, i cili po administron pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për gjendjen shëndetësore të vajzës së plagosur, ndërsa identiteti i drejtuesit të automjetit ende nuk është bërë i ditur.
Policia e Vlorës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e automjetit dhe drejtuesit që u largua nga vendi i ngjarjes.










