Kryetari i Bashkisë Patos, Fation Duro, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me propozimin për shkrirjen e Bashkisë Patos në kuadër të reformës së re territoriale. Në reagimin e tij, Duro thekson se raporti përfundimtar i Komisionit nuk e paraqet Patosin si një bashki me performancë të dobët, por përkundrazi si një nga më funksionalet në Shqipëri.
Sipas tij, Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive (IFB), i cili mat autonominë fiskale, ngurtësinë e buxhetit, mbulimin e funksioneve, eficiencën e stafit dhe detyrimet e prapambetura, e vlerëson Bashkinë Patos me 71.7 pikë, duke e renditur të dhjetën ndër 61 bashkitë e vendit. Raporti e konsideron nivel të lartë çdo rezultat mbi 65 pikë.
Duro publikon edhe krahasimin me bashkitë e tjera të Qarkut Fier, ku Patosi renditet i pari për funksionalitet, përpara Roskovecit (65.2), Lushnjës (65.0), Divjakës (59), Fierit (55.4) dhe Mallakastrës (50.4).
Në reagimin e tij, ai nënvizon se Patosi ka 16.3 pikë më shumë se Bashkia Fier, me të cilën propozohet të bashkohet, duke argumentuar se vetë të dhënat zyrtare bien ndesh me pretendimin se bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete administrative dhe financiare për të ushtruar funksionet e tyre.
Në përfundim, kryebashkiaku ngre pyetjen se cili është dështimi konkret funksional i Bashkisë Patos që justifikon heqjen e statusit të saj, kur raporti zyrtar i Komisionit e rendit ndër bashkitë me performancën më të lartë në Shqipëri.
Patosi nuk është bashki me performancë të dobët
Raporti përfundimtar i Komisionit nuk e paraqet Patosin si një bashki që nuk arrin të kryej funksionet e veta. Përkundrazi, në treguesit më të rëndësishëm, Patosi renditet ndër bashkitë më të mira të Shqipërisë.
Patosi është i dhjeti në Shqipëri për funksionalitetin
Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive, IFB, vlerëson elemente të tilla si:
• autonomia fiskale;
• ngurtësia e buxhetit;
• mbulimi i funksioneve;
• eficienca e stafit;
• detyrimet e prapambetura.
Patosi merr 71,7 pikë dhe renditet i dhjeti ndër 61 bashkitë. Raporti e konsideron nivel të lartë çdo rezultat mbi 65 pikë.
Argumenti zyrtar për konsolidimin territorial është:
Bashkitë e vogla nuk kanë kapacitet administrativ dhe financiar të ushtrojnë funksionet.
Por në rastin e Patosit, vetë të dhënat e raportit tregojnë të kundërtën.
Krahasimi brenda Qarkut Fier
Rang vendi Bashkia Popullsia 2023 IFB
10 Patos 18.227 71,7
15 Roskovec 16.332 65,2
16 Lushnjë 63.135 65,0
23 Divjakë 24.882 59
32 Fier 101.963 55,4
40 Mallakastër 15.838 50,4
Të dhënat tregojnë se Patosi ka:
• 16,3 pikë më shumë se Fieri;
• performancë më të lartë se çdo bashki tjetër e qarkut;
• rezultat të lartë edhe në shkallë kombëtare.
Pra,
Bashkia që propozohet të shkrihet ka performancë funksionale më të mirë se bashkia që propozohet ta përthithë edhe performancë funksionale më të lartë se të gjitha bashkitë e tjera të Qarkut Fier.
Cili është dështimi konkret funksional i Bashkisë Patos që kërkon heqjen e statusit të saj, kur Indeksi zyrtar i vet Komisionit e rendit të dhjetën në vend dhe dukshëm mbi Bashkinë Fier me të cilën do të bashkohet?










