Skema e pensioneve në Shqipëri po përballet me presion në rritje, pasi numri i pensionistëve vijon të shtohet si pasojë e plakjes së popullsisë, emigrimit dhe rënies së lindshmërisë.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) për vitin 2025, numri i pensioneve urbane të pleqërisë ka arritur në 562,924, ose 37,503 më shumë krahasuar me vitin 2024.
Qarku i Tiranës mban numrin më të lartë të pensionistëve urbanë me 148,087 përfitues. Në vend të dytë renditet qarku Fier me 66,911 pensionistë, i ndjekur nga Vlora me 55,849, Korça me 52,142, Durrësi me 52,148 dhe Elbasani me 45,439. Në skajin tjetër qëndron Kukësi, me vetëm 9,086 pensionistë urbanë.
Për pensionet rurale të pleqërisë, numri i përfituesve ka rënë nga 82,146 në fund të vitit 2024 në 78,161 në fund të vitit 2025, ose 3,985 pensionistë më pak.
Edhe në këtë kategori kryeson Tirana me 12,658 pensionistë, ndërsa Fieri renditet i dyti me 10,731 përfitues, i ndjekur nga Elbasani me 9,273. Qarqet me numrin më të ulët të pensionistëve ruralë janë Gjirokastra me 3,362 dhe Kukësi me 2,503.
Sipas ISSH-së, pensioni mesatar mujor i pleqërisë në qytet ka arritur në 20,123 lekë, ndërsa në zonat rurale është 12,313 lekë në muaj.










