Rama për “Corriere della Sera”: Nuk jap dorëheqjen, mandatin ma kanë dhënë qytetarët me votë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave që prej 40 ditësh zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve dhe jo nga presioni i protestave.

Në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, Rama tha se, nëse ndonjë deklaratë e tij ka lënduar qytetarët që protestojnë për shqetësime të sinqerta mjedisore, është i gatshëm të kërkojë ndjesë. Megjithatë, ai bëri dallimin mes protestuesve dhe atyre që, sipas tij, përhapin propagandë dhe dezinformim.

Sa i përket kërkesës për largimin e tij nga detyra, kryeministri u shpreh se në demokraci dorëheqjet nuk imponohen nga protestat, por vendosen përmes zgjedhjeve.

Rama tha se protestat nisën si reagim ndaj projektit në Zvërnec, por se më pas morën karakter politik. Sipas tij, opozita ka të drejtë të protestojë, por problemi lind kur çështjet mjedisore përdoren për objektiva politike.

Në lidhje me akuzat e tij për ndërhyrje të huaja, Rama sqaroi se i referohej kryesisht manipulimit në hapësirën digjitale, përmes llogarive anonime, përdorimit të VPN-ve dhe rrjeteve të propagandës. Ai shtoi se kjo nuk i zhvlerëson protestat e qytetarëve që, sipas tij, protestojnë me bindje të sinqerta.

Duke folur për ndikimin e protestave në procesin e integrimit evropian, Rama u shpreh se tubimet paqësore nuk e dëmtojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, rreziku do të lindte vetëm nëse sundimi i ligjit do të zëvendësohej nga presioni i rrugës ose nëse dezinformimi do të ndikonte në vendimmarrjen publike.

Në fund të intervistës, kryeministri pranoi se situata mund të ishte menaxhuar më mirë në disa aspekte, por theksoi se nuk pendohet që nuk mori vendime të nxituara nën presionin e asaj që e quajti “turma dixhitale”, duke shtuar se detyra e tij është të mbrojë ligjin, interesin publik dhe të ardhmen e vendit.