Trump paralajmëron sulme të reja ndaj Iranit/Teherani kërcënon me kundërpërgjigje


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se administrata e tij mund të ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit, duke përmendur si objektiva të mundshëm infrastrukturën kritike civile, përfshirë centralet elektrike dhe impiantet e desalinizimit, nëse situata do ta kërkojë.

Gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në samitin e NATO-s, Trump tha se sulmet mund të jenë të përmasave të mëdha dhe shtoi se forcat amerikane kanë goditur ishullin Kharg, qendra kryesore e eksporteve të naftës së Iranit, duke dëmtuar një pjesë të tij.

Deklaratat e tij shkaktuan reagime të menjëhershme në Teheran. Zyrtarë iranianë paralajmëruan se çdo sulm i ri do të përballet me një përgjigje të ashpër, ndërsa zëdhënësi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, Ebrahim Rezaei, deklaroi se asnjë ushtar amerikan nuk do të kthehet i gjallë në rast të një agresioni.

Edhe ish-ministri i Jashtëm Ali Akbar Velayati dënoi përshkallëzimin e tensioneve, duke theksuar se Irani është i gatshëm t’i përgjigjet çdo sulmi. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar vijon të bëjë thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangie të përshkallëzimit të konfliktit.