Numri i personave që fituan shtetësinë shqiptare pësoi një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në total, 495 persona përfituan shtetësinë shqiptare, nga 919 që ishin regjistruar një vit më parë.
Nga përfituesit e shtetësisë, 306 persona e rifituan atë, ndërsa 189 e morën për herë të parë. Mbi gjysmën e tyre (56,1%) janë shtetas të Kosovës, të ndjekur nga shtetasit e Turqisë me 20,1%, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Italia zënë secila nga 4,8% të rasteve.
Paralelisht, edhe numri i personave që hoqën dorë nga shtetësia shqiptare u ul. Gjatë vitit 2025, 173 persona zgjodhën të heqin dorë nga shtetësia, ndërsa grupmosha 30-39 vjeç përbënte pjesën më të madhe si të atyre që fituan shtetësinë (31,7%), ashtu edhe të atyre që e lanë atë (43,9%).
Ndërkohë, kërkesat për azil në Shqipëri shënuan rritje. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025 u regjistruan 144 azilkërkues, ose 40 më shumë se në vitin 2024. Fluksi më i madh i aplikimeve u regjistrua në periudhën gusht–tetor, e cila përbënte 63,2% të totalit të kërkesave.
Pjesa më e madhe e azilkërkuesve vinin nga Egjipti (39,6%), të ndjekur nga Afganistani (11,8%) dhe Palestina (9,7%), sipas statistikave zyrtare të INSTAT.










