Vullkani Etna në Siçili ka shpërthyer sërish këtë të diel, duke nxjerrë një re të madhe hiri vullkanik dhe duke shkaktuar kufizime të përkohshme në fluturimet e aeroportit të Katanias.
Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), aktiviteti vullkanik nisi në orët e para të mëngjesit dhe u intensifikua gradualisht, duke krijuar një kolonë hiri që u ngrit rreth 1.5 kilometra mbi krater.
Për shkak të resë së dendur të hirit, autoritetet aeroportuale vendosën kufizime në hapësirën ajrore, ndërsa meteorologët paralajmëruan se masa e hirit do të vazhdojë të lëvizë drejt jugut.
Etna, me një lartësi prej rreth 3,300 metrash, konsiderohet një nga vullkanet më aktivë në botë. Ai regjistron shpërthime të shpeshta me rrjedha lave dhe emetime hiri, duke shkaktuar shpesh ndërprerje të trafikut ajror dhe shqetësime për zonat përreth.
Ndërkohë, Evropa Jugore vijon të përballet edhe me zjarre të mëdha, ku Franca, Spanja dhe Portugalia janë përfshirë nga flakët, me mijëra hektarë sipërfaqe të djegura.










