Tensione para Gjykatës së Tiranës, protestuesit: “Rama në burg, çunat jashtë”

Situata vijon të mbetet e tensionuar përpara Gjykatës së Tiranës, ku qytetarë, aktivistë dhe familjarë të të arrestuarve po protestojnë gjatë shqyrtimit të masave të sigurisë për 21 personat e ndaluar pas protestës së 2 korrikut.

Jashtë ambienteve të gjykatës janë mbledhur dhjetëra protestues, të cilët kanë deklaruar se nuk do të largohen deri në lirimin e të shoqëruarve. Në bulevard janë dëgjuar vazhdimisht thirrje dhe slogane kundër qeverisë.

“Rama në burg, çunat jashtë! Gjithë Shqipëria këtë ka dasht!”, kanë brohoritur protestuesit gjatë tubimit.

Qytetarët e pranishëm e kanë cilësuar ndalimin e protestuesve si përpjekje për të frikësuar reagimin qytetar, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të aksionit në rast se të arrestuarit nuk lirohen.

Ndërkohë, forca të shumta policie vijojnë të qëndrojnë pranë godinës së Gjykatës së Tiranës për monitorimin e situatës.