KESH bën importin e parë për 2026-ën, blen energji me vlerë 41.6 mln euro

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka finalizuar kontratën e parë për furnizim me energji elektrike gjatë vitit 2026, duke siguruar 331,200 MWh për periudhën korrik-shtator. Marrëveshja konsiderohet ndër më të mëdhatë e viteve të fundit për nga sasia dhe kohëzgjatja e furnizimit.

Ndryshe nga blerjet e zakonshme afatshkurtra që realizohen zakonisht për disa ditë ose javë, këtë herë KESH ka zgjedhur të mbulojë të gjithë tremujorin e tretë të vitit. Energjia është kontraktuar me një çmim mesatar prej 125.47 euro për MWh, ndërsa vlera totale e marrëveshjes arrin rreth 41.6 milionë euro pa TVSH.

Kontrata vjen pas një periudhe pozitive për prodhimin vendas nga hidrocentralet. Gjatë katër muajve të parë të vitit, KESH eksportoi mbi 456 mijë MWh energji, duke siguruar të ardhura rreth 33 milionë euro.

Megjithatë, me afrimin e verës dhe uljen e prurjeve në kaskadën e Drinit, kërkesa për energji rritet ndjeshëm, çka e detyron shpesh vendin të mbështetet te importet për të garantuar furnizimin.

Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, gjatë vitit 2025 shpenzimet për importin e energjisë arritën në mbi 272 milionë euro me TVSH.