Rama per median gjermane/“4 miliardë euro s’i refuzojmë”,mbron projektin në Zvërnec dhe flet për protestat

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin e shumëdebatuar në Zvërnec gjatë një interviste për median gjermane ZDF, duke deklaruar se “nuk mund t’i thuash jo një investimi 4 miliardë euro”, ndërsa theksoi se projekti do të ecë përpara vetëm nëse respektohen standardet ligjore dhe mjedisore.

I pyetur mbi transparencën dhe rolin e shtetit në zhvillimin e resortit pranë lagunës së Zvërnecit, Rama deklaroi se prona është private dhe se procesi po ndiqet nga institucionet shqiptare për të garantuar respektimin e rregullave.

“Ende nuk ka një plan përfundimtar, sepse procesi po ndiqet me shumë kujdes nga institucionet tona, për të garantuar që projekti do të respektojë rregullat dhe standardet që janë të rëndësishme për ne”, u shpreh ai.

Gazetarët e ZDF ngritën shqetësimin se ndryshimet ligjore kanë lehtësuar kufizimet në zonat e mbrojtura dhe kanë hapur rrugën për ndërtimin e aeroportit dhe zhvillimeve turistike në zonë. Rama mohoi që ndryshimet të jenë bërë për të favorizuar projektin.

“Nuk është bërë asnjë ndryshim për të hapur mundësinë e ndërtimit në zonat e mbrojtura ku ndërtimet nuk lejohen”, deklaroi Kryeministri.

I pyetur për punimet që sipas ZDF kanë nisur në zonën e lagunës, Rama tha se nuk ka ende leje ndërtimi, por se ligji shqiptar lejon rrethimin e pronës private dhe dhënien e lejeve të përkohshme për punime përgatitore dhe vlerësime mjedisore.

Sa i përket debatit për pronësinë, Rama theksoi se institucionet veprojnë mbi bazën e dokumenteve zyrtare dhe jo pretendimeve.

“Derisa një titull pronësie nuk është i juaji, nuk mund të kërkoni që prona të mos zhvillohet vetëm sepse pretendoni se duhet t’ju përkasë juve”, tha ai.

Në lidhje me protestat kundër projektit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, Rama tha se respekton qytetarët që protestojnë dhe shqetësimet e tyre, por bëri dallim mes protestuesve dhe organizatorëve të lëvizjes.

“Nuk kam asgjë kundër njerëzve që protestojnë. Ata kanë të drejtë të shprehin mendimin, të kritikojnë dhe madje të jenë kundër meje”, deklaroi Rama, duke shtuar se organizatorët e protestave janë një çështje tjetër nga qytetarët e zakonshëm.

Në fund, Kryeministri la të kuptohet se qeveria mbetet e hapur ndaj investimit, por vendimi final do të varet nga përmbushja e standardeve.

“Nëse rezultati përfundimtar nuk është i kënaqshëm, atëherë nuk do të vazhdojmë me të”, u shpreh ai.