Ulen shpenzimet për bonusin e bebes, ndikojnë rënia e lindjeve dhe ndryshimet demografike

Shpenzimet për bonusin e bebes kanë shënuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025, në një periudhë kur vendi po përballet me ulje të lindjeve dhe plakje të popullsisë. Sipas të dhënave të Buxhetit Faktik 2025, fondet e përdorura për Bonusin e Lindjeve arritën në rreth 1.5 miliardë lekë, duke realizuar 65.9% të planit vjetor të parashikuar si në buxhetin fillestar, ashtu edhe në atë të rishikuar me Aktin Normativ nr. 11/2025.

Bonusi i bebes jepet si pagesë e menjëhershme pas lindjes së fëmijës. Të dhënat e Shërbimit Social Shtetëror tregojnë se gjatë vitit 2025 u shpërndanë 4 671 çeqe, me një vlerë totale prej rreth 1.48 miliardë lekësh.

Në krahasim me vitin 2024, kur ishin dhënë 6 565 çeqe me një fond prej 2.2 miliardë lekësh, këtë vit janë shpërndarë 1 894 bonuse më pak, ose 28.9% më pak. Kjo tregon se rënia e lindjeve po reflektohet drejtpërdrejt edhe në uljen e shpenzimeve për këtë program social.

Aktualisht, skema parashikon 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë dhe për çdo fëmijë pasues. Për shkak të përkeqësimit të treguesve demografikë, qeveria ka paralajmëruar ndryshime në këtë skemë.

Gjatë vitit 2025 u hodh ideja që, nga 1 janari 2026, mbështetja të mos jepet më vetëm si çek i menjëhershëm në maternitet, por si pagesë mujore deri në moshën 5-vjeçare të fëmijës. Ekspertët e kanë vlerësuar këtë si një masë më të qëndrueshme për familjet, por kanë theksuar se ajo nuk mjafton e vetme për të ndalur rënien e lindjeve, nëse nuk shoqërohet edhe me politika më të gjera për strehimin, punësimin dhe shërbimet për fëmijët.